Kryetari i Bordit të ARKEP Kreshnik Gashi, po merr pjesë në Seancën Plenare të Entit Evropian të Rregullatorëve të Komunikimeve Elektronike
Kryetari i Bordit të Autoritetit Rregullativ të komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), Kreshnik Gashi është duke marrë pjesë në seancën plenare të udhëheqësve të Rregullatorëve Evropian të komunikimeve elektronike në kuadër të punës së BEREC në Gent të Belgjikës.
Kjo është hera e parë që Kosova nëpërmjet ARKEP është e përfaqësuar dhe merr pjesë si e barabartë me shtetet tjera evropiane në Seancën Plenare të Entit Evropian të Rregullatorëve të Komunikimeve Elektronike. Pjesëmarrja e ARKEP në punën e BEREC është mundësuar pas një pune intensive në përfaqësimin dhe përfshirjen e barabartë të ARKEP në forumet ndërkombëtare dhe ka ardhur si rezultat i ndryshimit të Rregullores së BE për BEREC EU 2018/1971 nga Parlamenti Evropian dhe vendimit të Komisionerës së BE për ekonominë dixhitale znj.Mariya Gabriel për pjesëmarrje të ARKEP në të gjitha nivelet e punës së Entit të Rregullatorëve Evropianë për Komunikime Elektronike (BEREC).
Me këtë vendim ARKEP ka fituar të drejtën për pjesëmarrje në Bordin e Rregullatorëve, Grupet Punuese dhe Bordin Menaxhues të Zyrës së BEREC.
Kryetari Gashi gjatë ditës së sotme poashtu ka nënshkruar marrëveshjen për marrëdhëniet punuese të pjesëmarrjes së ARKEP në të gjitha forumet e punës së BEREC.
Ky është një hap shumë me rëndësi për zhvillimin e ARKEP që mundëson përfaqësim të barabartë të në nivelin më të lartë evropian të organizimit të rregullatorëve por edhe rregullim më efikas të komunikimeve elektronike në Kosovë, me fokus të veçantë në të drejtat e shfrytëzueseve të këtyre shërbimeve.
Në margjina të Seancës Plenare të BEREC është zhvilluar edhe një takim i përbashkët i udhëheqësve të rregullatorëve nga Ballkani Perëndimor organizuar poashtu nga BEREC me qëllim të vlerësimit të përgatitjeve për zbatim të marrëveshjes për reduktim dhe heqje të pagesave të roamingut ndërmjet 6 vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor.