Kryetari i Bordit të BQK-së: Shtyrja e zbatimit të rregullores po diskutohet, pezullimi në asnjë mënyrë
Kryetari i Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës, Bashkim Nurboja, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se pezullimi i rregullores së këtij institucioni, që do t’i ndalonte komunitetit serb përdorimin e dinarit të Serbisë, nuk është në diskutim.
Sipas tij, në diskutim është vetëm shtyrja e zbatimit.
Bashkësia ndërkombëtare është duke kërkuar nga Kosova që ta pezullojë zbatimin e rregullores së BQK-së, sipas së cilës, euroja duhet të shërbejë si valutë e vetme për pagesa.
Serbia, e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, vazhdon ta përdorë dinarin për t’i paguar pensionet, ndihmat sociale dhe rrogat për institucionet paralele që ka në Kosovë.
“Ne jemi të shqetësuar për ndikimin e rregullores [së BQK-së] sidomos në shkolla dhe spitale, për të cilat, për momentin, nuk duket i zbatueshëm asnjë proces alternativ”, tha grupi i ambasadave të huaja, i njohur si QUINT.
Sipas tij, kjo çështje duhet të diskutohet më tej në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, i cili ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
Linku i intervistës: https://www.evropaelire.org/a/bqk-vendimi-per-pagesat-ne-euro-dinar/32799383.html