Kryetari i BSPK-së takon përfaqësuesit e KFOR-it, diskutojnë për bashkëpunimin e dyanshëm
Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Atdhe Hykolli, ka takuar të premten përfaqësuesit e KFOR-it, të udhëhequr nga kapiteni Alessandro Veggi, komandant i Ekipit për Ndërlidhje dhe Monitorim, përgjegjës për Komunën e Prishtinës.
Në takimin që u zhvillua në Komandën Qendrore të KFOR-it, Hykolli e informoi kapitenin Alessandro Veggi dhe ekipin e tij përkitazi me aktivitetet sindikale në kuadër të BSPK-së, dhe njëkohësisht falënderoi KFOR-in për gjithë angazhimin dhe përkushtimin në ruajtjen e paqes dhe të qetësisë në vendin tonë.
Kapiteni Alessandro Veggi e njoftoi kryetarin Hykolli me komandantin e ri, togerin Luca Bisetto, i cili do të marrë komandën e Ekipit për Ndërlidhje dhe Monitorim, dhe e falënderoi për gjithë bashkëpunimin e deritashëm duke kërkuar që të vazhdohet ky bashkëpunim edhe me komandantin e ri, togerin Luca Bissetto-n.
Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Atdhe Hykolli, i uroi mirëseardhje komandantit të ri dhe u përcolli përfaqësuesve të KFOR-it edhe njëherësh përkushtimin e BSPK-së në drejtim të ngritjes dhe të kultivimit të dialogut social për një bashkëpunim të qëndrueshëm me Partnerin Social – Qeverinë, qëllim ky për të ruajtur dinjitetin e të punësuarit pa e prishur rendin e qetësinë shumë të nevojshme në mjedisin tonë.