Kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj, kundër nismës për “Braktisjen vullnetare të fesë islame”
Kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj sot ka takuar Këshillin e Bashkësisë Islame në Deçan si dhe imamët e kësaj komune, ku ka vlerësuar lartë rolin dhe angazhimin e tyre për shtetëndertim, dhe ngritjen morale e kulturore, si dhe rritjen e tolerancës fetare ndër shekuj, duke e predikuar Islamin burimor, si fe e paqes, dashurisë, bamirësisë dhe besimit në Zot.
Kështu ka bërë të ditur Ramosaj në llogarinë e vet në “Facebook”
Njoftimi i plotë i Ramosajt:
Në takimin e sotshëm me Bashkësinë Islame në Deçan, u dakorduam që të mos i kontribuojmë polarizmit, përçarjes e urrejtjes në mes qytetarëve tonë.
Pavarësisht organizimeve dhe thirrjeve që dikush mund të ketë, Bashkësia Islame dhe qytetarët e Deçanit si gjithherë i kontribuojnë bashkëjetesës, harmonisë dhe të mirës për popullin dhe për shtetin e Kosovës.
E falënderoj Bashkësinë Islame në Deçan për maturinë e treguar dhe kontributin e pamohueshëm të tyre, që tradicionalisht i kanë kontribuar e shërbyer edukimit, harmonisë, zhvillimit ekonomik, e sidomos kontributit të madh të tyre në ndërtimin e shtetit të Kosovës.
BR