Kryetari i degës së AAK-së në Gjilan jep dorëheqje, i shkruan letër Haradinajt
Agim Zuzaku, kryetar i degës së AAK-së në Gjilan ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë, pas rezultatit të zgjedhjeve të 14 shkurtit të kësaj partie.
Në letrën e dorëheqjes që ia ka dërguar liderit të AAK-së, të cilën e ka siguruar “Epoka e re”, Zuzaku ka treguar arsyen e dorëheqjes.
“Pas çdo procesi zgjedhor, nëse ka rezultate të mira duam t’i marrim meritat, por duhet marrë përgjegjësinë edhe për këto rezultate shumë zhgënjyese”, shkruan Zuzaku në letrën e dorëheqjes.
Ai ka shprehur zhgënjim në nivelin qendror të partisë për disa arsye.
“Nuk ka funksionu shtabi, të rinjt janë keqmenaxhu me ose pa qëllime të caktuara. Jam munduar të ruaj unitetin nëpër nëndegë dhe në degë, shumë gjëra jam munduar të mos i shoh e kuptoj për të vetmin qëllim; ndoshta po bëjmë diçka mirë e po arrijmë sukses, por jo”, ka shkruar Zuzaku.
Letra e tij e plotë e dorëheqjes:
E nderuara strukturë e AAK-së,
Pas çdo procesi zgjedhor, nëse ka rezultate të mira duam ti marrim meritat, por duhet marrë përgjegjësinë edhe për këto rezultate shumë zhgënjyese.
Nuk ka funksionu shtabi, të rinjt janë keqmenaxhu me ose pa qëllime të caktuara. Jam munduar të ruaj unitetin nëpër nëndegë dhe në degë, shumë gjëra jam munduar të mos i shoh e kuptoj për të vetmin qëllim; ndoshta po bëjmë diçka mirë e po arrijmë sukses, por jo.
Kulmi i gjith procesit ishte kur niveli qendror nuk i ka kryer obligimet per vezhgues duke me lënë në pozitë më të palakmueshme të jetës time.
Duke u bazuar ne të gjitha këto, unë marrë përgjegjësinë për këtë situatë dhe e shoh të arsyeshme të hap rrugën të tjerëve, që nënkupton se nga sot nuk do të jem kryetar i degës së Aleancës dhe gjithashtu jap dorëheqje nga të gjitha funksionet politike që kisha deri më tani në AAK.
Falënderoj secilin që pati gatishmëri të bashkëpunojë me mua për të mirën e Aleancës.
Ju priftë e mbara dhe suksese!
Me respekt,
Agim Zuzaku