Kryetari i Degës së PDK-së në Gjakovë demanton lajmin për koalicion me AAK-në
Kryetari i Degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Gjakovë, Hajdar Beqa, ka demantuar lajmin se kjo parti ka arritur marrëveshje me AAK-në për ta mbështetur Ardian Gjinin për kryetar të kësaj komune.
Beqa ka thënë se Dega e PDK-së në Gjakovë do të vendos se kë do ta mbështet në balotazh pas konsultimeve me strukturat partiake.
“Sot në disa portale, përfshirë gazetën ‘Epoka e re’, ka qarkulluar një lajm se PDK ka bë marrëveshje me AAK -në lidhur me mbështetjen për garën e 14 nëntorit për balotazh. Ju njoftoj që PDK nuk ka pasë asnjë takim zyrtar me asnjë nga pretendentet dhe partitë që janë në garë në balotazh në Gjakovë dhe se kjo është një dezinformatë që lansohet nga kampet të cilat PDK-në e shohin si forcë kredibile politike për t’ua fituar garën e balotazhit. Dega e PDK-së në Gjakovë njofton strukturat dhe simpatizantet e saj, se kyçjen në garën e balotazhit do ta bëj vetëm pas konsultimit me strukturat e saj dhe pas marrjes së pëlqimit edhe nga mbështetësit stoik të saj, andaj kushdo që llogarit në PDK para kësaj periudhe të konsultimeve, marrëveshja eventuale me ne do të mbetet vetëm në nivelin e dëshirave të tyre”, ka shkruar Beqa në llogarinë e vet në “Facebook”.
Në garë për kryetar të Komunës së Gjakovës janë Ardian Gjini nga AAK-ja dhe Mimoza Kusari-Lila nga Vetëvendosje. Raundi i dytë për kryetar të Gjakovës do të mbahet më 14 nëntor.