Kryetari i Eppingenit Klaus Holaschke, pas takimeve me homologët në Pejë, Prishtinë, Suharekë e Deçan, shprehet tejet i kënaqur me vizitën
Në Kosovë, për vizitë treditore, ka qëndruar kryebashkiaku i komunës Eppingen, z. Klaus Hollaschke, komunë në landin Baden-Württemberg, vizita kthyese te kryetarët komunave që kanë qëndruar më parë mysafir të tij në Gjermani.
Z. Holaschke, takimet zyrtare i ka filluar me kryetarin e Pejës, Gazmend Muhaxherin, nënkryetarin e komunës së Prishtinës, Alban Zogajn, kryetarin e Suharekës, Bali Muharremajn dhe kryetarin e Deçanit, Bashkim Ramosajn.
Në takime, z. Holaschke është njohur me punën e pushtetit lokal në këto komuna, arritjet dhe sfidat, perspektivat zhvillimore dhe projektet e pushtetit lokal, duke theksuar përvojën e tij në qeverisjen lokale, të komunës me 22 mijë banorë dhe buxhet mbi 120 milion euro.
E përbashkëta e takimeve është gatishmëria e thellimit të bashkëpunimit me komunat e Kosovës, këmbimin e përvojave, si dhe identifikimin e fushave të reja të bashkëpunimit me interes të përbashkët.
Vizitën në Kosovë, z. Holaschke e filloi me homazhe pranë Memorialit të Jasharajve në Prekaz, pranë shtatores së presidentit Rugova dhe vizitë në Shtëpinë e Pavarësisë, për të vijuar edhe me vizitën në Bibliotekën Kombëtare, Katedrale dhe vendet kulturore e historike në Prishtinë, Pejë, Suharekë dhe Deçan.
Z. Holaschke është kryebashkiak për 20 vjet, i zgjedhur për tri mandate, ka kontribuar për perspektivën e komunës së tij, posaçërisht për integrimin e të huajve dhe njihet si mik i madh i Kosovës.
Në përcjellje të tij, kanë qenë ish Konsulli në Austri dhe Gjermani, Imer Lladrovci dhe afaristët e njohur në Eppingen e më gjerë, vëllezërit Shala, Shaqiri dhe Rama, atdhetarë të njohur dhe promovues të Kosovës dhe shqiptarëve në Gjermani.
Z. Holaschke, me rastin e kthimit për Gjermani, u shpreh tejet i kënaqur me arritjet dhe qëllimin e vizitës, duke cekur se mikpritja dhe optimizmi për të ecur përpara, është mbresëlënëse, me premtimin se do të vije sërish në kuadër të bashkëpunimit me komunat e Kosovës.