Kryetari i Ferizajt për Ligjin e Pagave: U trumbetua barazia, ndodhi pabarazia
Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, konsideron se me Ligjin e Pagave është bërë një padrejtësi ndaj shumë punëtorëve të sektorit publik. Ai pret që këto lëshime të përmirësohen.
Ndonëse e mirëpret nivelizimin e pagave, Aliu thotë se çdo herë është përfolur për barazi në paga, ndërsa në realitet kjo nuk ka ndodhur. Aliu ka thënë se ngritja e çmimeve në Kosovë, është dukshëm më e madhe se paga.
“Unë mendoj se tashmë janë shfaqur të gjitha ato që kanë të bëjnë me koeficientet edhe realisht është në analizë e sipër për faktin se ka diçka që nga stafi nga administrata që është ngritur vlera e pagës në bazë të koeficientit dhe vlerës së koeficientit të përcaktuar. Por e keqja është se ka pjesë të administratës komunale, ku është zvogëluar paga. Unë po besoj se do të adresohen këto shqetësime në mënyrë që në rastin edhe në mundësinë e parë të rishikohen sepse thjesht është trumbetuar se do të ndodhë barazia, por në fakt po ndodh një lloj pabarazie, për faktin se të heqësh pagën apo të zvogëlosh pagën nga ajo që ka qenë vërtetë, është një pabarazi”, ka thënë ai.
Aliu ka arsyetuar kërkesën për rritje më të madhe të pagës, me ngritjen e çmimeve në vend. Ai ka përmendur sfidat me të cilat përballen qytetarët.
“Sigurisht se ka edhe raste të tjera jo vetëm në administratën komunale por edhe në administratat dhe shërbimet të tjera që janë pjesë e Ligjit për Pagat ku janë adresuar defektet e tilla të ligjeve dhe koeficientit, por unë po besoj që në të ardhmen duhet të adresohen në mënyrë që të këtë vërtetë barazi dhe të këtë ngritje të pagës konform edhe gjendjes sociale që e kemi. Inflacioni pastaj edhe shtrenjtimi i shumë produkteve ushqimore, pastaj i energjisë elektrike, e tash së fundmi edhe i tatimit në pronë. Po besoj që janë kosto e lartë dhe e papërballueshme për qytetarët qoftë ata që nuk janë në marrëdhënie publike të punës siç lidhen me ligjin për paga por edhe në marrëdhënie private është një kosto shumë e lartë po beso që duhet reflektuar secili prej nesh me punën dhe përgjegjësit publike që kemi në mënyrë që të bëjmë zgjidhjet e duhura dhe të përshtatshme për t’u ballafaquar me sfidat e kohës”, ka thënë Aliu./EO