Kryetari i Ferizajt prezanton punën njëvjeçare
Këtë të hënë është mbajtur mbledhja e katër e rregullt e Kuvendit të Komunës së Ferizajt, e kryesuar nga Kristina Gashi-Bytyqi.
Në këtë mbledhje ka marrë pjesë edhe kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, nënkryetari Arton Gavazi, nënkryetari për komunitete, Florim Bajrami si dhe drejtorë të drejtorive komunale.
Në këtë mbledhje janë diskutuar çështje të shumta por ajo e cila më se shumti ka ngjallur debat ishte raporti i punës për vitin 2020.
Me këtë rast, kryetari Aliu me një fjalë rasti i është drejtuar asamblistëve, ku fillimisht ka shprehur ngushëllime për të gjithë familjet që gjatë pandemisë kanë humbur më të dashurit e tyre. “Në këtë pikëpamje për t’i lënë një gjurmë kohës që kaluam, dua të nënvizoj faktin e pamohueshëm, bindjen e ngulitur thellë, përjetimin më të sinqertë të qytetarëve, se qeverisja jonë, askujt, në asnjë rast, për asnjë arsye, nuk i tha ‘JO’ në kuptimin e mbështetjes, dorës së zgjatur për ndihmë e përkrahjes për rimëkëmbje nga pandemia”, është shprehur Aliu, duke shtuar se mbi 5 000 familje janë ndihmuar me pako ushqimore, higjienike, pajisje teknologjike dhe materiale didaktike.
Ai ka theksuar se gjatë vitit të kaluar janë angazhuar në realizimin e disa projekteve me rendësi për qytetarët. “Edhe pse viti 2020 solli vështirësi pafund, shtrëngime financiare, rënie të inkasimeve, natyrisht të mirëkuptuara në të tilla situata, arritëm të përmbushim në qind për qindshin e saj, platformën tonë investive për Ferizajn që duam dhe na dhanë besimin ferizajasit. Kundruar në rrafshin e infrastrukturës rrugore, jo vetëm 2020-ta, por gjithë mandati ynë qeverisës ishte e do të mbetet mandat i transformimit të Ferizajt. Këtë e thonë dhe përjetojnë më së miri, secili ferizajas që i gëzohet të mirës publike. I paparë ndonjëherë jo në Ferizaj, por në gjithë vendin është edhe vepra që paraqet art në të projektuarit dhe realizuarit e infrastrukturës rrugore, ajo e Nënkalimit në Varosh-Nikadin, që pamëdyshje, përveç që heq atë zonë nga harta simbol i vdekjeve aksidentale nga treni, i jep tashmë rreze drite e zhvillimi gjithë skajit në atë anë të Ferizajt. Asgjë nuk na ndali edhe më 2020-tën që të përfundojmë suksesshëm një nyjë të rëndësishme që i jep vizion të ri zhvillimor gjithë zonës, bizneseve dhe qytetarëve që banojnë në atë zonë, sikurse pjesa integrale e ‘Bashkimit të Qytetit’, pra projekti i rregullimit te rrethit të madh në afërsi të spitalit, zonë të cilën e rikonceptuam tërësisht, duke i shtuar edhe parkun e ri te qytetit me këndin e lojërave, të cilat pa mëdyshje kemi synimin ta zgjerojmë edhe më, në të ardhmen”, ka thënë Aliu, duke përmendur edhe disa investime të tjera.