Kryetari i FFK-së dënohet me 9 muaj burgim efektiv
Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, është dënuar me nëntë muaj burgim efektiv, pasi është shpallur fajtor për njërën nga dy veprat penale me të cilat ngarkohej.
Në aktgjykimin e shpallur të premten, Ademi është dënuar me nëntë muaj burgim efektiv, për veprën penale të detyrimit në tentativë, ndërsa është shpallur aktgjykim refuzues për ushtrim të ndikimit, shkak se kjo vepër penale është parashkruar, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ndërsa, i akuzuari tjetër në këtë rast, Muharrem Rama është dënuar me një vit burgim për veprën penale të detyrimit në tentativë.Aktakuza ndaj Ramës dhe Ademit është ngritur me 14 janar 2014, në bashkëpunim të Prokurorisë Themelore të EULEX-it, me Prokurorinë Themelore në Prishtinë.
Sipas pretendimeve të prokurorit të EULEX-it, Maarten Groothuizen dhe prokurorit Ilaz Beqiri në pikën e parë të aktakuzës, të pandehurit Ademi dhe Rama gjatë periudhës kohore 12 korrik – 12 shtator 2012, me qëllim të përfitimit material e kishin kërcënuar dhe sulmuar viktimën Dritëro Kadollin, duke e detyruar të njëjtin të bëjë veprime në dëm të pasurisë së tij, respektivisht të bëjnë përfitim të pa drejtë në shumën prej 30.000.00 euro, apo një veturë të tipit “BMW X5”, e cila veturë më pas pretendohej t’i dorëzohej Kryesuesit të Asamblesë Komunale të Prishtinës, Sami Hamiti, duke kryer veprën penale detyrimi në bashkëkryerje.
Ndërkaq, në pikën e dytë të aktakuzës të pandehurit Ademi dhe Rama akuzohen për ushtrim të ndikimit në bashkëkryerje.Sipas aktakuzës, dy të akuzuarit kishin kërkuar nga i dëmtuari Kadolli premtimin e përfitimit të pa drejtë, respektivisht shumën prej 30.000.00 euro apo veturën e tipit “BMW X5”, duke kërkuar në lidhje me ushtrimin e ndikimit jo të duhur të tyre në vendimmarrjen e një personi zyrtar që në këtë rast është Kryesuesi i Asamblesë Komunale në Prishtinë, Sami Hamiti, që të ndryshoj statusin e një ngastre toke nga “zonë e gjelbëruar” në “zonë ndërtimore”.