Kryetari i FFK-së takoi ministrin Vitia
Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi në shoqëri të kryetarit të tifogrupit “Dardanëve”, Lulzim Berisha takuan sot ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia.
Në këtë takim u bisedua për çështjen e vaksinimit të ekipeve të cilat do të marrin pjesë në garat evropiane e po ashtu edhe për mundësinë e pjesëmarrjes së tifozëve nëpër stadiume.
Ministri Vitia pohoi se masat për pjesëmarrje të tifozëve në stadiume do të lehtësohen varësisht nga situata me pandeminë, ndërkaq theksoi se vaksinimi do të fillojë së shpejti edhe për ekipet e futbollit të cilat do të udhëtojnë në garat ndërkombëtare.
Kryetari Ademi falënderoi ministrin Vitia për gatishmërinë për ta përkrahur futbollin në këtë periudhë, derisa edhe nikoqiri e falënderoi FFK-në për bashkëpunimin dhe zbatimin e masave antiCovid. FFK beson që tri ekipet që do të marrin pjesë në garat ndërkombëtare do të vaksinohen shumë shpejt.