Kryetari i Junikut kërkon qeveri të unitetit LV-LDK-PDK-AAK
Kryetari i Komunës së Junikut, Agron Kuçi, ka kërkuar formimin e një qeverie të unitetit pas zgjedhjeve të tetorit.
Në profilin e vet në “Facebook”, ai ka shkruar se rrethanat në të cilat ndodhet vendit qeveria e re duhet të përbëhet nga Lëvizja Vetëvendosje, Lidhja Demokratike e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Sipas tij, formimi i qeverisë së unitet është veprim demokratik, që garanton zgjidhje të çështjeve të rëndësishme dhe faktorizon Kosovën në skenën ndërkombëtare.
Postimi i plot i Kuçit:
Të përballur padrejtësisht me presion ndërkombëtar, të izoluar nga vendet e Bashkimit Evropian pas aplikimit të taksës doganore ndaj Serbisë, të sfiduar nga Gjykata Speciale diskriminuese, nergut për shqiptarët, të gjendur në geto si vetmi vend në Evropë pa liberalizim të vizave për qytetaret tonë dhe në pamundësi të integrimit në BE dhe në organizatat tjera evropiane dhe botërore edhe 20 vite pas luftës për liri e pavarësi. Të kushtëzuar nga bisedimet dhe dialogu i imponuar me Serbinë, lidhur me sovranitetin dhe integritetin tonë shtetëror, me ngërçet e mëdha në fushat themelore: ekonomike, politike, sociale, kulturore edhe 11 vite pas shpalljes së Pavarësisë Ahtisariane, përballë ikjes masive të rinisë dhe energjisë sonë vitale, sot Albin Kurti, ka rastin unik dhe mundësin historike si fitues i zgjedhjeve te 6 Tetorit, të formoj QEVERI UNITETI të përbërë nga VV, LDK, PDK dhe AAK, me premisën e vetme që vendi ynë-Kosova t’ia del suksesshëm në proceset e mëdha e të vështira që na presin.
Formimi i një Qeverie Uniteti, është veprim demokratik, që garanton zgjidhje të çështjeve të theksuara dhe e faktorizon Kosovën në skenën ndërkombëtare, ndërkohë e rritë përgjegjshmërinë e PDK dhe AAK, sforcon partinë fituese VV si dhe LDK dhe si përfundim fuqizon jashtëzakonisht Albin Kurtin si Lider të një Epokë të Re.