Kryetari i Kamenicës i infektuar me Covid-19
Kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati është infektuar me Covid-19.
Kjo u bë e ditur nga vetë Kastrati përmes një publikimi në “Facebook”, ku u shpreh se pati kontakt me një koleg të tij nga Prishtina dhe se për këtë do të qëndrojë i izoluar.
Ai luti të gjithë ata që patën kontakt me të që të izolohen edhe nëse nuk kanë shfaqje të simptomave, duke shtuar se do të vazhdojë punën në komunë nga shtëpia.
Reagimi i plotë:
Të nderuar qytetarë të Kamenicës,
Javën e kaluar kam pasur kontakt me një koleg nga Prishtina. Para dy ditësh kolegu ka rezultuar pozitiv me COVID-19. Në momentin që e kam kuptuar që ai ka bërë testin jam vetizoluar, ndërsa dje jam paraqitur për të bërë testin.
Sot jam informuar që testi ka dalur pozitiv. Nuk kam asnjë simptomë por do të qëndroj i vetizoluar sipas rekomandimeve të IKShPK-së. Do t’i dorëzoj të gjitha kontaktet e mia pranë Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, por ju lus të gjithëve që jemi takuar ditëve të fundit të vetizoloheni për disa ditë dhe të lajmëroheni nëse keni simptome.
Punët në Komunën e Kamenicës do të vazhdojnë me intensitetin e njejtë, dhe unë do të vazhdoj të punoj nga shtëpia.