Kryetari i Klinës, thirrje qeverisë dhe Kryqit të Kuq

16 mars 2020 | 09:14

Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, ka thënë se prej kur kjo qytezë është futur në karantinë, pas paraqitjes së rastit të parë me koronavirus, situata është e qetë.

“Qytetarët janë të vetëdijshëm dhe po i kufizojnë lëvizjet e tyre duke respektuar vendimin e qeverisë. Shërbimi është efecient i QKMF-së, FSK-ja ka sjellë një tendë, të cilën e kemi vendosur para hyrjes dhe po bëjmë seleksionimin e vizitorëve për ta marrë anamnezën se cili prej tyre mund të jetë me simptoma të koronavirusit dhe cilët janë me nevoja të përditshmërisë. Kemi marrë maska dhe dorëza. Ndihmë tjetër nuk na ka dhënë qeveria”, ka thënë Elezaj, njofton “Klan Kosova”.

Ai i ka bërë thirrje Qeverisë që ta ndihmojë përsëri stafin mjekësor të kësaj komune.

“Më së shumti kemi nevojë për mjete mbrojtëse për stafin shëndetësor. Sasitë e tyre janë në minimum. Edhe stafi shëndetësor është në panik. Ka nevojë të fillojë organizimi prej Kryqit të Kuq për shpërndarje të ushqimeve elementare. Tani për tani ka staf. Është bërë riorganizimi”, ka treguar Elezaj.

Ai ka thënë se iu përket ushqimeve deri tash nuk është vërejtur mungesë e tyre nëpër dyqane. “Sfidat janë në kuptim të lëvizjes, nuk ka mungesa në markete, por ka kufizime në lëvizje. Kategoritë sociale e kanë më vështirë. Nuk ka aktivitete, nuk punojnë restorantet. Ka vetëm takime individuale. Besoj se situata po menaxhohet mirë.

Për familjet që janë të prekura, po përkujdesemi për furnizim me ujë dhe gjëra të tjera. Ka interes të madh të qytetarëve që na drejtohen me kërkesa të caktuara. Shtabi emergjent po kryen punën e vet. Qytetarët janë të kuptueshëm. Niveli qendror duhet të mendojë për rezerva shtetërore. Tani për tani nuk ka panik, po e menaxhojmë situatën dhe qytetarët janë më meritorët”, ka thënë Elezaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Përhapja e shpejtë e pandemisë së koronavirusit të ri është…