Kryetari i KOK-ut ofron mbështetje për boksierët
Kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Ismet Krasniqi, ka pritur delegacionin e boksit i cili gjatë këtij muaji do të marrë pjesë në Kampionatin Botëror për Seniorë që mbahet në Beograd të Serbisë dhe në Kampionatin Evropian për të Rinj (U18) që mbahet në Budva të Malit të Zi.
Ekspedita e boksit kryesohej nga kryetari Enver Krasniqi, sekretari i përgjithshëm, Latif Demolli dhe përzgjedhësi Besim Brahimi, kurse të pranishëm ishin edhe boksierët seniorë dhe të rinj.
Presidenti Krasniqi, duke u uruar fat dhe suksese, u ka ofruar përkrahjen dhe mbështetjen e KOK-ut, derisa i ka inkurajuar ta japin maksimumin për ta përfaqësuar sa më mirë vendin tonë.
Edhe drejtuesit e FBOX-së, Krasniqi dhe Latifi, duke falënderuar presidentin Krasniqi, kanë shprehur optimizmin se nga këto dy kampionate do të kthehen me medalje derisa përzgjedhësi Brahimi ka shtuar se forma e boksierëve është e mirë. Botërori mbahet prej 24 tetorit deri më 6 nëntor, ndërsa evropiani i të rinjve prej 13-24 tetorit 2021.
/Epoka e re/