Kryetari i KPM-së zgjedhet zëvendëspresident i MNRA-së
Jeton Mehmeti, kryetar i Komisionit të Pavarur të Mediave, është zgjedhur zëvendëspresident i Rrjetit të Rregullatoreve të Shteteve të Mesdheut (MNRA), në Asamblenë Plenare të 23-të të mbajtur në Jerevan të Armenisë.
Ky rrjet, që përbëhet nga 27 anëtarë, ka për qëllim shkëmbim e njohurive dhe përvojave mes shteteve anëtare për çështje që kanë të bëjnë me rregullimin e mediave.
Sipas rregullave të këtij rrjeti, Kosova do të jetë nikoqir i Asamblesë Plenare në vitin 2025, me ç’rast edhe merr me automatizëm Presidencën e MNRA-së.
Në fjalën e tij Mehmeti i falënderoi shtetet anëtare për besimin e dhënë.
“Viti 2025 shënon 20 vjetorin e themelimit të Komisionit të Pavarur të Mediave. Do të jetë nder për ne që krahas organizimit të Asamblesë Plenare të ju tregojmë edhe zhvillimin e KPM-së nga një entitet i administruar nga UNMIK me emrin Komisioneri i Përkohshëm i Mediave në një rregullator të pavarur të mediave”, tha ai.
Temë kryesore në punimet e asamblesë në Yerevan janë parimet e Unesco-së mbi administrimin e platformave digjitale si dhe përdorimi i Inteligjencës Artificiale në arritjen e objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara.
Përveç Kryetarit Mehmeti, nga KPM pjesëmarrës janë edhe Herolinda Zagragja dhe Bashkim Reçica.
MNRA është themeluar në vitin 1997 me iniciativë të Francës dhe Spanjës. Në mesin e shteteve tjera anëtare janë Greqia, Qipro, Izraeli, Malta, Maroku, Turqia, Shqipëria dhe shtetet tjera të rajonit.