Isa Mustafa përkujton veprimtarin Ismet Rraci
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka përkujtuar Ismet Rracin në 18-vjetorin e vrasjes së tij.
Ai ka thënë se 18 vite më parë Klina dhe e tërë Kosova ka humbur atdhetarin e çmuar dhe të respektuar, njëherësh kryetarin e Degës së LDK-së në Klinë, Ismet Rracin.
“Ismet Rraci ishte shkrimtar me gjuhë të guximshme e të mprehtë që ngriti zërin kundër mizorëve të kohës së egër të viteve të ’90-ta. Ishte burrë i urtë, intelektual dhe mësues që qëndroi gjithnjë pranë nxënësve të tij dhe qytetarëve të Klinës duke përfshirë edhe periudhën e luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilën e mbështeti pa asnjë rezervë. Presidenti Historik dr. Ibrahim Rugova kishte dënuar vrasjen e Ismet Rracit si të drejtuar kundër lirisë, pavarësisë, paqes dhe demokracisë së Kosovës”, ka deklaruar Mustafa.
Ai ka theksuar se Ismet Rraci gjithnjë do të kujtohet nga LDK-ja dhe të gjithë qytetarët e Kosovës për trimërinë, kontributin dhe atdhedashurinë e pafund.
/Epoka e re/