Kryetari i LDK-së përkujton Sali Çekajn
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku në 22-vjetorin e rënies ka përkujtuar Sali Çekajn.
“Sot, kujtojmë Sali Çekaj, heroin e Kosovës, në njëzet e dy vjetorin e rënies së tij në betejën e Koshares, veprën e të cilit e ruajmë si trashëgimi politike e atdhetare për lirinë dhe shtetndërtimin e Kosovës. Rezistencën e tij politike e nisi përmes aktivitetit në Lidhjen Demokratike të Kosovës, krah presidentit historik dr. Ibrahim Rugova. Në kohën kur i nevojitej më së shumti vendit tonë, ai me pushkë në dorë iu bashkua radhëve të UÇK-së në Koshare dhe kështu, u shndërrua në Heroin e pavdekshëm të Kosovës”, ka thënë Abdixhiku.
Ai ka theksuar se Sali Çekaj ishte intelektual i rrallë, jurist me profesion, dhe ushtarak i kalibrit të lartë.
“Ishte detyruar nga regjimi okupues serb që të largohej nga Kosova, por aktivitetin e tij nuk e ndali asnjëherë. Si nënkryetar i Degës së LDK-së në Gjermani, u bë organizator i shkëlqyeshëm i shqiptarëve për të ndihmuar materialisht e politikisht çlirimin e Kosovës.
Sali Çekaj me punën dhe përkushtimin e tij, prej politikani e ushtaraku vizionar, do mbetet përherë në piedestalin e historisë tonë. Lavdi e përjetshme jetës dhe veprës së Heroit të Kosovës Sali Çekaj!”, ka deklaruar kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.