Kryetari i Leposaviqit kërkon largimin e KFOR-it nga objekti i komunës, konsideron se situata është e qetë
Ka pesë muaj që kryetari i Leposaviqit, Lulzim Hetemi, jeton brenda ndërtesës së komunës. Thotë se do të vazhdojë të mbetet aty, derisa largimin nuk ia kërkon shteti i Kosovës, përkatësisht qeveria dhe kryeministri Kurti.
Në një intervistë për RTK-në, Hetemi kërkon që KFOR-i të largohet nga objekti i komunës sepse konsideron se situata është e qetë.
Hetemi tha se kur hyri në komunë në muajin maj, përveç kaosit, nuk gjeti asnjë punëtor të administratës. Por tani, sipas tij, gjërat kanë ndryshuar.
Ka 13 drejtori, 7 drejtohen nga serbët e 6 nga shqiptarët. “Këta janë punëtorë të rinj të administratës, janë serbë të Leposaviqit”, tha Lulzim Hetemi.
E konfirmon se përveç qeverisë dhe kryeministrit Kurti, të gjithë ia kanë kërkuar dorëheqjen. “Respekt për amerikan e respekt për miqtë tanë ndërkombëtarë”, tha ai.
Hetemi ka folur dhe për mundësinë e që të japë dorëheqje.“Dorëheqje… për çka”, tha ai.
Kryetari i Leposaviqit tregon se është i gatshëm menjëherë të largohet nga zyra, me kushtin që në këtë pozitë të vijë një kryetar që njeh dhe respekton shtetin e Kosovës. E derisa të ndodhë kjo, Hetemi do të vazhdojë të qëndrojë brenda Komunës së Leposaviqit.