Kryetari i Lipjanit pret ne takim delegacionin e Ambasadës së Francës në Kosovë të udhëhequr nga Frederic Deshayes
Kryetari i Komunës së Lipjanit, z. Imri Ahmeti, së bashku me bashkëpunëtorët e tij, ka pritur në takim delegacionin e Ambasadës së Francës në Kosovë të udhëhequr nga z. Frederic Deshayes.
Gjatë takimit, u diskutua mbi bashkëpunimin ndërmjet Komunës së Lipjanit dhe Komunave Franceze, si dhe promovimin e mësimit të gjuhës frënge në shkollat e mesme të komunës.
Kryetari Ahmeti shprehu mirënjohjen për vizitën, duke falënderuar Ambasadën Franceze për mbështetjen që shteti francez i ka dhënë Kosovës, veçanërisht në forcimin e shtetësisë dhe zhvillimin e arsimit, ndërsa theksoi rëndësinë e mësimit të gjuhës frënge në shkollat e Lipjanit.
“Në shkollat tona nxënësit kanë zgjedhur gjuhën frënge si lëndë për të mësuar dhe kjo dëshmon interesin dhe vullnetin për të njohur më mirë kulturën dhe gjuhën franceze. Për këtë arsye, kërkoj mbështetjen e Ambasadës Franceze për të promovuar më tej këtë lëndë dhe për të zgjeruar shtrirjen e saj,” tha kryetari z. Ahmeti. Ai shtoi gjithashtu se komuna është e gatshme për bashkëpunime të mëtejshme me Komunat Franceze për realizimin e aktiviteteve të përbashkëta kulturore.
Nga ana tjetër, z. Frederic Deshayes falënderoi kryetarin Ahmeti për mikpritjen dhe përkushtimin ndaj promovimit të kulturës franceze, duke theksuar rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve mes Francës dhe Kosovës.
“Franca ka qenë dhe vazhdon të jetë një mbështetëse e rëndësishme e Kosovës që nga shpallja e pavarësisë. Synimi ynë është të promovojmë kulturën franceze në Kosovë dhe veçanërisht bashkëpunimin në fushën e arsimit dhe kulturës,” tha z. Deshayes. Ai vlerësoi faktin që shkollat e Lipjanit ofrojnë mësimin e gjuhës frënge dhe theksoi përkushtimin e vazhdueshëm të Ambasadës për mbështetjen e këtyre nismave.
Gjatë takimit, u theksua edhe roli i Institutit Francez në Kosovë, i cili që nga inaugurimi i tij në vitin 2004 ka kontribuar në zhvillimin dhe përhapjen e gjuhës dhe kulturës franceze përmes aktiviteteve të shumta, si Festivali Frankofon.