Kryetari i Malishevës: Kemi shumë nevoja dhe kërkesa, Qeveria s’po na mbështetë
Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, është shprehur i pakënaqur me përkrahjen e nivelit qendror.
Ai tha se Qeveria nuk po i merr merr parasysh kërkesat e tyre. Në një intervistë për Ekonomia Online, Kastrati tha se investimet kapitale për vitin 2024 janë të ulta pikërisht për shkak të kësaj.
“Përkrahjen nga niveli qendror deri më tani komuna e Malishevës nuk është e kënaqur sepse kemi shumë kërkesa dhe nevoja të qytetarëve që presin përmbushje të gjitha këtyre kërkesave dhe nevojave prandaj qasja e Qeverisë qendrore nganjëherë sikur nuk i ka parasysh të gjitha këto nevoja dhe kërkesa përkatësisht të Komunës së Malishevës e që më bjen me e theksu, shembull investimet kapitale për vitin 2024 i kemi shumë të ulëta, me shuma të ulëta të cilat nuk japin shpresë për një zhvillim sa ma të shpejtë dhe sa më të madh”, deklaroi Kastrati.
Për shkak të rritjes së performancës, Malisheva ka fituar edhe një grant qeveritar në vlerë prej 628 mijë eurosh. Këto para, Kastrati premton se do t’i shpenzojë në përmirësimin e jetës së qytetarëve.
“Grantin qeveritar e kemi marrë fal angazhimit tonë permanent në përmbushjen e aktiviteteve tona në të gjitha shërbimet. Gjithashtu ne si qeveri komunale, përkatësisht kryetar i komunës jemi angazhuar dhe do të angazhohemi që kjo performancë komunale të rritet edhe më tutje. Për shkak se me rritjen e shërbimeve tona dhe me rritjen e performancës sonë ne e përmirësojmë edhe jetën e qytetarëve për çka edhe jemi të zgjedhur për çka kemi edhe mandate”, tha ai.