Kryetari i Nismës në Gjakovë: Luftën e UÇK-së nuk ka gjyq që mund ta gjykojë
Kryetari i Nismës Socialdemokrate në Gjakovë, Fazli Hoxha, ka reaguar pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit dhe ftesës së Gjykatës Speciale për t’u intervistuar si i dyshuar.
Ai përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se luftën e UÇK-së nuk ka gjyq që mund ta gjykojë, sepse ka qenë luftë e pastër dhe e drejtë.
Postimi i plotë i Hoxhës:
Luftën e UÇK-së nuk ka gjyq që mund ta gjykoj, sepse ka qenë luftë e pastër dhe e drejtë, në mbrojtje të popullit të shtypur nga regjimi i Millosheviqit.
Ftesa për intervistë nga Gjykata Speciale në cilësinë e të dyshuarit për kryeministrin e Republikës së Kosovës Ramush Haradinaj, është ftesë e padrejtë nga një gjykatë e padrejtë.
Dorëheqja e sotme e Haradinajt për herën e dytë nga posti i kryeministrit, tregon respektin më të lartë për luftën çlirimtare.
Lufta e UÇK-së siç ka dalë triumfuese më herët, do të triumfojë edhe në këtë betejë me Gjykatën Speciale.
Spektri politik në vend duhet të jetë unikë përballë padrejtësive që po i bëhen luftës çlirimtare.