Kryetari i Odës Ekonomike përmend sfidat e bizneseve
Kryetari i Odës Ekonomike, Lulzim Rafuna, ka thënë se, edhe përkundër krizës, nuk ka indikacione që ndonjë investitor i huaj ka shprehur frikën të largohet nga Kosova. Por, sipas tij, duhet që të hiqen të gjitha barrierat dhe të hapet një kanal më i thjeshtë i komunikimit me investitorë të huaj.
“Nuk kam indikacion që ndonjë investitorë i huaj ka shprehur frikën të ikë nga Kosova. Por duhet të punojmë të thithim investime të tjera duke përfshirë Odën Ekonomike dhe Qeverinë që të reduktohet të gjitha ato barriera dhe të hapet një kanal më i thjeshtë i komunikimit me investitorë të huaj”.
Rafuna ka thënë se për të ndihmuar qytetarin dhe biznesin qeveria duhet të ofrojë mundësi më të mira buxhetore.
Sipas tij, të gjitha institucionet do të duhej të diskutonin për gjetjen e një zgjidhje në këtë fazë, duke konsideruar si mundësi edhe pezullimin e tatimit e akcizës, apo edhe subvencionimin e bizneseve.
“Gjithmonë për ta ndihmuar biznesin dhe qytetarin duhet që Qeveria e Kosovës të shoh se cilat janë mundësitë më të mira buxhetore. A është më mirë të intervenohet me të hyrat duke pezulluar për një kohë të caktuar qoftë tatimin e akcizës e doganor, apo ta sheh që të intervenohet duke subvencionuar bizneset”.
“Më e mira kish me qenë që ne të gjithë të ulemi dhe të shohim se cila është mundësia më e mirë nëpërmjet intervenimit të të hyrave në kuptim të marrjes së të hyrave për lirim apo reduktim të ndonjë tatimi apo te shpenzimet nëpërmjet subvencionit që i ofron qeveria”.
Ai tha se prodhuesit po ballafaqohen me sfida të mëdha e tash edhe nga reduktimet e energjisë elektrike, andaj Rafuna thotë se duhet të paralajmërohen me kohë në mënyrë që të këtë pasoja më të vogla.
“Prodhuesit padyshim që kanë sfida shumë të mëdha nga reduktimi i energjisë elektrike për arsye se janë të detyruar që të aktivizojnë gjenerator ose të gjejnë rrugë alternative për të siguruar energji e kam fjalën nëpërmjet gazit apo lëndëve tjera që ndihmojnë procesin e prodhimit”.
“Shumë pajisje të prodhimit nuk mund të aktivizojnë nëpërmjet gjeneratorëve. Subjektet prodhuese nëse nuk ka asnjë mundësi që të kenë energji elektrike me rregull të jenë të paralajmëruar për orarin e reduktimeve për arsye se ajo lëndë e parë prishet dhe nuk mund të hyjë në funksion”. /EO