Kryetari i Odës Ekonomike thotë se bizneset s’u konsultuan për rritjen e pagës minimale
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, e ka komentuar vendimin e fundit të Qeverisë së Kosovës për rritjen e pagës minimale në 350 euro bruto.
Ai në “Five” të TV Dukagjinit ka thënë se ky vendim ka shkaktuar huti te bizneset sepse sipas tij nuk janë konsultuar paraprakisht.
Sipas tij është brengosëse mungesa e transparencës për këtë vendim sepse sipas tij bizneseve nuk u është dhënë mundësi përgatitje për implementim.
Rafuna ka theksuar se me vendimet e fundit të Qeverisë sic është për lirimin nga tatimi dhe rritja e pagës minimale, shkaktojnë pasiguri juridike te bizneset.
“Kosova ka mbet e fundit me pagën minimale, edhe me 350 është e fundit, brengosëse për sektorin privat është moskonsultimi i një procedure të hapur transparente, duke marrë parasysh opinion e biznesit, për t’i dhënë mundësi ehe biznesit për tu përgatit për ta implementu vendimin. Çdo vendim që merret më së miri implementohet nëse është në mënyrë transparente… vërejten e kemi pas në mënyrën si po sillen vendimet, ligjet, dje e ke pas rritjen e pagës në 250, lirimin nga tatimi. Sot në mëngjes e sheh vendimin me shku në 350 nesër nuk jemi të sigurt çka ka me ndodh, është pasiguri juridike te bizneset se çfarë vendimi dhe çfarë ligje do ndryshohen pa u konsultuar me sektorin privat”, tha ai.
Ai u shpreh se bizneset nuk janë kundër rritjes së pagës minimale por që sipas tij duhet konsultim dhe përgatitje paraprake që të kalohet tranzicioni më lehtë.
“Bizneset nuk veprojnë me plane Ad-Hoc, veprojnë me plane që shkon deri në 5 vite por edhe në 10 vite. Në vendet e zhvilluara… në fillimvit ulen me sektorin privat dhe darkodrohen cili tatim në çfarë periudhe kohore me hy në fuqi në mënyrë mos me afektu te biznesi. Biznesi nuk është kundër rritjes së pagës minimale, por po kërkon konsultim dhe përgatitje dhe nëse duhet aq shpejt, t’i ndihmohet biznesit ta kalojë fazën e tranzicionit”, tha ai.
Tutje Rafuna tha se bizneset janë në mjegull për shkak të mostransparencës nga Qeveria.
“Jemi shumë në mjegull, e para merret vendimi për 350, thotë se lirohet nga tatimi në të ardhurat personale, për mu liru nga tatimi duhet të behet një plotësim ndryshimi për të ardhurat personale, ajo merr kohë. Jurikdisht nuk po e dimë çka po ndodhë”, tha ai.
Qeveria e Kosovës mori vendim gjatë një mbledhjeje, të mërkurën, ta rrisë pagën minimale në vend në 350 euro për punëtorët e të gjitha moshave.
Kjo rritje u bë vetëm disa ditë pasi hyri në fuqi Ligji për pagën minimale, i cili parashihte një rritje të pagës minimale në 264 euro bruto për të gjithë të punësuarit në sektorin publik e privat.
Por, me vendimin e ri të Qeverisë së kryeministrit Albin Kurti, shkalla e re e pagës minimale do të jetë 2 euro për orë pune të rregullt, apo 350 euro bruto në muaj për orar të plotë.