Kryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës, Besnik Berisha bënë thirrje për bashkëpunim dhe vendosmëri për rritjen e tarifave të avokatëve
Thirrje për bashkëpunim dhe vendosmëri për rritjen e tarifave të avokatëve dhe adresimin e pengesave në ushtrimin e profesionit;
Të nderuar kolegë,
Në cilësinë e Kryetarit të Odës së Avokatëve të Republikës së Kosovës, dëshiroj të shpreh mirënjohjen time për përkushtimin dhe profesionalizmin që tregoni çdo ditë në mbrojtjen e drejtësisë dhe të drejtave të qytetarëve.
Viti që po lëmë pas ka qenë plot sfida për profesionin tonë dhe për gjithë sistemin e drejtësisë në vend. Pavarësisht këtyre vështirësive, ju keni dëshmuar një shembull të lartë përkushtimi dhe keni ruajtur dinjitetin e avokatisë, për çka ju jemi thellësisht mirënjohës!
Një çështje thelbësore që kërkon angazhimin tonë të përbashkët është rishikimi dhe rritja e tarifave për angazhimet ex-officio, të cilat janë aktualisht të papranueshme dhe nuk pasqyrojnë përgjegjësinë dhe përkushtimin që kërkohet nga ne. Në një kohë kur shumë sektorë kanë përfituar nga rritjet ekonomike, është jetike që edhe puna jonë të shpërblehet në mënyrë dinjitoze.
Për këtë arsye, Oda e Avokatëve të Kosovës do të zhvillojë takime me të gjithë aktorët dhe partnerët kushtetues, jo vetëm për të diskutuar rritjen e tarifave, por edhe për të adresuar çështje të tjera të rëndësishme për avokatinë, që ndërlidhen me përmirësimin e kushteve të punës dhe forcimin e rolit tonë si profesionistë në sistemin e drejtësisë.
Ne do të përpiqemi me gjithë forcën për të gjetur mirëkuptimin dhe mbështetjen e nevojshme për këto çështje. Por, nëse nuk arrihet një marrëveshje, do të detyrohemi të përdorim mekanizmat ligjorë që kemi në dispozicion, përfshirë edhe bojkotin e plotë të shërbimeve ex-officio. Kjo do të ishte një masë e fundit, por e domosdoshme për të mbrojtur të drejtat dhe dinjitetin tonë si profesionistë.
Angazhimi dhe uniteti ynë janë kyç për suksesin e këtij procesi. Ju ftoj të qëndrojmë të bashkuar dhe të vendosur, duke treguar se zëri i avokatëve ka rëndësi dhe duhet dëgjuar!
Përzemërsisht,
Besnik R. BERISHA
Kryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës