Kryetari i OVLUÇK-së: Këtë muaj presim të kemi 4-5 ftesa në ditë nga Gjykata Speciale
Kryetari i OVLUÇK-së, Hysni Gucati ka thënë se ka paralajmëruar qysh moti se shtatori dhe tetori do të jenë muaj të nxehtë sa u përket ftesave nga Gjykata Speciale.
Gucati, në “Dossier D” në RTV Dukagjini ka thënë se nga dita e premte deri sot [enjte] nga Gjykata Speciale janë lëshuar mbi 26 ftesa.
Ai ka thënë se për disa persona për momentin ftesat nuk janë bërë publike pasi Organizata e ruan privatësisë e tyre.
“Ne presim edhe ditëve në vijim të kemi ftesa të reja. Ky muaj do të jetë i nxehtë për OVLUÇK-në dhe vet veteranët. Do të ftohen nga 4-5 luftëtarë në ditë”.
Kryetari i OVLUÇK-së ka thënë se deri më tani ka rreth 100 ftesa për pjesëtarët e UÇK-së dhe persona tjerë që nuk kanë qenë pjesë e luftës.
Ai ka thënë se nga fillimi i nëntorit priten aktakuza të reja apo edhe arrestime të reja për llogari të Gjykatës Speciale.
“Në bazë të informacioneve priten 3-4 aktakuza gjatë nëntorit por edhe arrestime”, ka thënë Gucati.