Kryetari i PDK-së viziton familjen e Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka vizituar familjen e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit.
“Megjithëse për familjet e tyre nuk ka qenë asnjëherë e lehtë, e nuk është as sot, e di dhe jam i bindur që nuk do të ndërronin asnjë hap të veprimtarisë së familjarëve të tyre heronj”, ka shkruar Krasniqi né “Facebook”.
Krasniqi ka theksuar se Nlnë 54, 55, 71 dhe 51 vitet e tyre të deritashme, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, më së paku u kanë takuar vetes dhe familjes.
“Rruga e tyre deri te liria, me fatin e një populli mbi supe, ka kaluar nëpër luginën e vdekjes më tepër se gjysmën e jetës së tyre”, ka shkruar Krasniqi.
Postimi i plotë i tij:
Janë disa personalitete, të ralla gjatë historisë, emri dhe veprimtaria e të cilëve e tejkalon të zakonshmen. Të tillët, mund edhe t’i burgosësh, por s’mund t’ua mohosh prezencën. Të tillë janë edhe Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.
Në 54, 55, 71 dhe 51 vitet e tyre të deritashme, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, më së paku u kanë takuar vetes dhe familjes. Rruga e tyre deri te liria, me fatin e një populli mbi supe, ka kaluar nëpër luginën e vdekjes më tepër se gjysmën e jetës së tyre.
Megjithëse për familjet e tyre nuk ka qenë asnjëherë e lehtë, e nuk është as sot, e di dhe jam i bindur që nuk do të ndërronin asnjë hap të veprimtarisë së familjarëve të tyre heronj. Sot, të gjithë, më qartë se kurrë, e kuptojmë se ata ishin të zgjedhur. Dhe, si të tillë, kishin një mision, një ëndërr, një lutje e amanet gjeneratash për ta jetësuar: Kosovën!
Sot, është obligim i ynë që, deri kur t’i kemi përsëri fizikisht në mesin tonë, ta vazhdojmë ëndrrën dhe punën për shtetndërtim, fuqizim dhe integrim. Ky është respekti dhe nderimi më i madh që mund t’u bëjmë emrave të tyre, sakrificës së tyre, familjeve të tyre. Këtë ua thash edhe familjarëve të tyre të respektuar gjatë vizitave të sotme te ta.
Dielli do të lind përsëri!