Kryetari i PLK-së viziton veriun
Kryetari i Partisë Liberale të Kosovës (PLK), Skender Gashi, ka vizituar pjesën e veriut në Mitrovicë.
Në pikën kufitare në Bërnjak është takuar me policinë dhe doganierët e Kosovës, me të cilët ka biseduar rreth lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallërave që hyjnë dhe dalin në këtë pikë të kufirit.
Po ashtu Gashi ka vizituar edhe liqenin e Ujmanit, Gazivodën dhe Zubin Potokun.
“Bëmë bisedë me një asamblist shqiptar z. Lavdim Peci dhe një asamblist serb të Komunës së Zveçanit. Sipas tyre çdo gjë ishte në rregull. Gjatë vizitës nuk hasem asnjë problem”, ka shkruar në llogarinë e vet në “Facebook” Gashi, ku ka postuar edhe fotografitë gjatë vizitës në veri.
Ai ka thënë se do të ishte mirë që vizita të tilla të bëhen më shpesh edhe nga përfaqësues të institucioneve të Kosovës dhe nga çdo qytetar i thjeshtë.
“Kjo tokë është pjesë e Republikës së Kosovës, dhe këta kufij nuk mund të ndryshojnë sepse me këta kufij na kanë pranuar 114 shtete të Botës, në mesin e tyre shtetet më të fuqishme evropiane dhe perëndimorë”, ka shkruar Gashi.