Kryetari i PPE-së: Besoj se Vjosa Osmani do të jetë kryeministre e ardhshme
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka pranuar një letër urimi nga Joseph Daul, kryetar i Partive Popullore Evropiane (PPE), anëtare e së cilës është edhe LDK-ja.
Duke uruar rizgjedhjen e Mustafës në krye të LDK-së, presidenti Daul, ka thënë se kandidatja e kësaj partie për kryeministre Vjosa Osmani do ta drejtoj Qeverinë e Kosovës pas zgjedhjeve të 6 tetorit.
“Rizgjedhja juaj në pozitën, të cilën e keni mbajtur nga viti 2010 është dëshmi e stabilitetit dhe besimit nga delegatët e partisë nën udhëheqjen tuaj. Është po ashtu testim i besimit që ata kanë në ju për ta drejtuar partinë tuaj në një periudhë vendimtare. Zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të jenë mundësi për LDK-në që edhe një herë të qeverisë me vendin. Besoj se Vjosa Osmani, kandidate e LDK-së, do të jetë kryeministre e ardhshme, prandaj ju përgëzoj për këtë zgjedhje të shkëlqyeshme”., është thënë në urimin e Daulit.
Presidenti Daul ka vlerësuar se këto zgjedhje do të jenë tepër të rëndësishme për të ardhmen e vendit, për ndërtimin e marrëdhënieve të mira me fqinjët, relacionet me Serbinë, përmirësimin e stabilitetit politik dhe të sigurisë si dhe rritjen ekonomike.
Njëkohësisht, ai ka shprehur besimin e plotë se LDK-ja do të punojë në këto objektiva të ardhshme si vlera të përbashkëta të familjes sonë politike.
/Epoka e re/