Kryetari i Prishtinës: Sindikatat dhe qeveria të gjejnë një kompromis
Për grevën e mësimdhënësve ka reaguar edhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama.
Ai ka thënë se është e drejtë e institucioneve arsimore dhe të administratës që të vihen në grevë.
“Pandemia dhe, pas saj, lufta në Ukrainë, bënë që të rriten të gjitha çmimet. Vetëm pagat mbetën të njëjtat”, ka shkruar Rama në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ai ka thënë se kërkesa e Qeverisë së Kosovës bërë drejtorive komunale të arsimit për t’ua nisë listat e mësimdhënësve grevistë, që t’i nxjerrë ata nga lista e pagave, është e kundërligjshme.
“Por është e drejtë legjitime e qeverisë që mësimdhënësit t’ia nënshtrojë testit të rivlerësimit, proces ky që duhet të ishte ndërmarrë që moti”.
“Ndërkohë, shtatori sapo nisi dhe nxënësit duhet patjetër t’u kthehen bankave shkollore kurse punonjësit administratës. Është prandaj imperative që bashkimi i sindikatave dhe qeveria të mos e ndërpresin dialogun dhe të gjejnë një kompromis një orë e më parë”, ka shkruar Rama.