Kryetari i Prizrenit tregon nëse do t’ua falë tatimin në pronë qytetarëve
Sikurse disa komuna në vend, edhe Komuna e Prizrenit nuk ua ka fal tatimin në pronë qytetarëve. Kështu ka bërë të ditur kryetari i kësaj komunë, Shaqir Totaj.
Derisa vet kryetari Totaj kishe dorëzuar në kushtetuese ligjin për tatimin në pronë, thotë se vendimi i Gjykatës po i ngarkon dhe dëmton komunat.
I pari i Prizrenit, Totaj ka akuzuar Qeverinë për ndërhyrje që po bënë në laminë e financave komunale.
“Komunat e kanë të garantuar pavarësinë financiare, e këtë garancion ja mundëson Ligji për financa publike dhe Ligji për vetëqeverisje lokale dhe çdo tentim i qeverisë të ndërhyjë në laminë e financave komunale është një hap në drejtim të gabuar.
Komunat kanë qenë të atakuara vazhdimisht nga qeveria qendrore sa i përket buxhetit. Nuk duhet fare të merret qeveria me çështjet e të hyrave komunale të buxhetit që në këtë rast vjen prej tatimit në pronë, por kanë tentuar të ndërhynë. Në anën tjetër kemi pas më herët situatë ku kanë tentuar t’i marrin të hyrat nga burimet vetanake të pashpenzuara në vitin aktual fiskal që po ashtu është e kundërligjshme”, thotë Totaj.
Ai derisa thotë se nuk është për faljen e tatimit në pronë, sqaron se me këtë prishet edhe planifikimi buxhetor që mund ta lë komunën me minus 4 milionë euro në buxhet.
“Tash e kemi një mendim të Gjykatës Supreme që po ashtu i ngarkon komunat, imagjinoni edhe tatimin në pronë të bëjnë me fal dëmtohet seriozisht buxheti, jo vetëm i Komunës së Prizrenit, por i gjitha komunave tjera. Nuk jam për këtë punë, sepse na prish edhe planifikimin buxhetor, na lënë rreth minus 4 milionë në buxhet, kurse për ato të hyra veçse janë planifikuar projektet. Sikur ato të hiqen nga buxheti, mbesin me mungesë projektet që janë planifikuara. Konsideroj si performancë e keqe është në qoftë se ato mjete nuk shfrytëzohen për interes të qytetarëve.
Për sa i përket të hyrave nga burimet vetanake komunale, sigurisht do të kemi rritje, sepse kemi një performancë të mirë, duke iu falënderuar së pari ndërgjegjësimit të tatim paguesve për tatim në pronë, sepse ata e dinë që mjetet që paguhen shkojnë për interesa tyre, por anën tjetër edhe Drejtoria për Financa e ka bërë punën mirë”, shton Totaj për kp.