Kryetari i Rahovecit takon tri studentet përfituese të bursës komunale
Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka takuar tri nga 196 studentët përfitues të bursës komunale.
“Ky takim më dha mundësinë të diskutoj me tri vajza të reja dhe ambicioze, të cilat po ndjekin studimet e tyre në universitete të ndryshme në Kosovë. Beslinda Himaj, njëra nga përfitueset e bursës, është studente në Fakultetin e Shkencave të Jetës dhe Mjedisit, në drejtimin Agrobiznes, në Universitetin ‘Ukshin Hoti’ në Prizren. Edonita Zeka, gjithashtu përfituese e bursës, studente në Fakultetin e Ekonomisë, në drejtimin e Kontabilitetit në Universitetin e Prishtinës ‘Hasan Prishtina’. Genta Morina është studente në Fakultetin e Mjekësisë, në drejtimin Shëndet Publik, në Universitetin ‘Fehmi Agani’ në Gjakovë. Në bisedën tonë, theksova rëndësinë e mbështetjes së studentëve dhe të investimit në arsim, si dhe përkushtimin e Komunës së Rahovecit për të vazhduar këtë mbështetje. U urova studenteve suksese të mëtejshme dhe i inkurajova që të vazhdojnë të përkushtohen në studimet e tyre”, ka thënë Latifi.