Kryetari i Shtërpcës mbështet serbët e veriut, por e lë mister çështjen e dorëheqjes
Kryetari i Komunës së Shtërpcës, Dalibor Jevtiq, e ka lënë të paqartë faktin nëse ai dhe vartësit e tij në këtë institucion kanë dhënë dorëheqje.
Kjo, duke u bazuar në vendimin që kreu Listës Serbe, Goran Rakiq, e njoftoi sot gjatë ditës për dorëheqjen të serbëve nga të gjitha institucionet politike në Republikën e Kosovës, raporton Klankosova.tv.
Jevtiqi, që njëherësh është edhe nënkryetar i Listës Serbe, me anë të një cicërime në Twitter, ka thënë se ofrojnë mbështetje të plotë për serbët në veri të vendit, por nuk e ka bërë të qartë nëse është larguar nga posti i tij apo jo.
“Prej kohësh e kemi paralajmëruar dhunën institucionale dhe qasjen e keqe të institucioneve të Kosovës ndaj serbëve. Nëse qeveria në Prishtinë nuk i ndal të gjitha presionet ndaj serbëve, nuk shoh arsye që ne të jemi më pjesë e institucioneve të Kosovës”, ka thënë Jevtiqi.
Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – ka vendosur të shtunën që të largohet nga institucionet qendrore të Republikës së Kosovës, si dhe nga komunat në veri të vendit.
“Ne kemi vendosur të largohemi nga të gjitha institucionet politike, Kuvendi, Qeveria, dhe nga katër komunat në veri të Kosovës, por edhe që të largohen serbët nga gjyqësori, policia si dhe stafi administrativ në katër komunat në veri”, ka thënë kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq pas takimit.