Kryetari i Skenderajt dhe kandidatja për deputete Merita Makolli bëjnë shqiponjën me duar
Kandidatja për deputete e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Merita Makolli, është pritur në takim nga kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari.
Lajmin e ka bërë me dije vet Makolli përmes një postimi në llogarinë e saj në “Facebook”.
“Sot, më shumë se kurrë u ndjeva shqiptar. Sot më shumë se kurrë u ndjeva njeri!
E si mund të ndihesha ndryshe, kur shtrëngon dorën e birit të Hamzës, kur ndjenë në lëkurë gjakun e Jasharëve. Me Bekim Hamëz Jasharin, mikun tim të dashur, Kryetarin e Komunës së Skenderajt dhe ish Kryetarin e Bordit të Drejtorëve të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës ‘Adem Jashari’. Emocion dhe nder i veçantë”, ka shkruar Merita Makolli.
Merita Makolli, kandidate për deputete nga Partia Demokratike e Kosovës, vjen nga fusha e aviacionit civil dhe nga përfaqësia politike e UÇK-së e udhëhequr nga Adem Demaçi.
Makolli është vajza e veprimtarit të shquar të çështjes kombëtare Shasivar Makolli – Çali, i cili është dekoruar me “Urdhrin e Lirisë” nga presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.
Makolli në listën e PDK-së për zgjedhjet e 6 tetorit mban numrin 93.