Jashari: Kam ndryshuar gjendjen në shëndetësi
Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari i shoqëruar edhe nga drejtori për Shëndetësi e Mirëqenie Sociale, Osman Veliu dhe ai Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), Fazli Kadriu, kanë vizituar të premten Qendrat e Mjekësisë Familjare (QMF) në bashkësi lokale, për të parë nga afër gjendjen e tyre pas investimeve që janë bërë nga kjo komunë.
Ai ka thënë se gjendja në QMF-të në Llaushë, Turiqec, Runik dhe Klinë e Epërm, nuk ka qenë në nivel të kënaqshëm, pasi sipas tij nuk është investuar për disa vite.
“Jemi dëshmitarë për gjendjen e keqe që ka qenë në Qendrat e Mjekësisë Familjare nëpër bashkësi lokale, në mungesë të investimeve për vite më radhë, çka ka detyruar qytetarët respektivisht pacientët t’i drejtohen qytetit, për të marrë një shërbim të thjeshtë shëndetësor. Por sot kemi tjetër gjendje, dhe kjo fal investimeve të qeverisë sime në sektorin e kujdesit shëndetësor, duke meremetuar hapësirat brenda dhe jashtë qendrave të mjekësisë familjare në Llaushë, Turiqec, Runik dhe Klinë të Epërm, si dhe me barnatore brenda tyre mirë të furnizuara”.
“Është rregulluar infrastruktura në këto qendra, ku tashmë janë funksionale disa nga sallat ku ofrohen shërbimet shëndetësore, me qëllim që pacientët të kenë mirëqenie. Ajo që është më e rëndësishmja, e që në fakt po ndodh për herë të parë, në dy qendrat e mjekësisë familjare në Turiqec dhe Runik, kemi zgjatur orarin e ofrimit të shërbimeve, ku mjekët tani janë në shërbim nga 8 e mëngjesit deri në ora 6 pasdite. Jemi të përkushtuar që të punojmë në atë drejtim që pacienti t’i ketë sa më afër shërbimet mjekësore”, ka deklaruar Jashari.
/Epoka e re/