Kryetari i Skenderajt kërkon ndihmën e investitorëve gjermanë
Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, ka pritur në takim të mërkurën Labinot Gucatin, sekretar i parë, i njohur nga autoritetet gjermane si konsull në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Mynih të Gjermanisë, me të cilin ka biseduar rreth mundësive të bashkëpunimit në mes të Konsullatës së Përgjithshme dhe Komunës së Skenderajt.
Kryetari Jashari mes tjerash e ka njoftuar mysafirin për zhvillimet në Komunën e Skenderajt, objektivat dhe politikat që synojnë zhvillimin e vendit.
Ndërsa, sekretari i parë në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Mynih të Gjermanisë, ka shprehur gatishmëri për t’i ofruar mbështetje Komunës së Skenderajt, sa i përket krijimit të urave të bashkëpunimit në mes të autoriteteve lokale të Skenderajt dhe investitorëve gjermanë.