Kryetari i Supremes mohon akuzat për ndikime politike në rastin e tarifave të energjisë

27 qershor 2022 | 11:23

Kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci, ka deklaruar nuk ka pasur asnjë ndikim politik në rastin e tarifave të energjisë elektrike, ashtu siç kanë pretenduar partitë opozitare.

Në një intervistë për “Kosovapress”, Peci ka thënë se në Dhomën e Posaçme, e cila vepron në kuadër të kësaj gjykate, ka në pritje rreth 15 mijë lëndë.

Ditë më parë, Supremja ka rrëzuar dy vendimet gjykatave, asaj Themelore dhe të Apelit, të cilat kishin konsideruar rritjen e çmimit të energjisë të kundërligjshme, duke lënë në fuqi vendimin me tarifa të reja më të larta. Për këtë vendim, Supremja është vënë në qendër të akuzave për ndikime politike.

Kreu i kësaj gjykate, duke mos dashur të komentojë vendimin, ka thënë se nuk ka ndikime politike në Supreme.

“Mund të garantoj tek unë si kryetar i Gjykatës Supreme nuk ka pasur kurrfarë presioni sepse ka qenë një çështje ashtu ligjore në zgjidhje dhe më tepër nuk ka mundur të ketë edhe presion prej dikujt në kuptim të përgjithshëm po flas… Si Gjykatë Supreme nuk është, as rasti i parë, as i fundit për të cilin kemi sjellë një vendim. Sa i përket ndikimit politik unë sa jam si kryetar nuk ndikime direkte, nuk mund të flasë në emër të gjyqtarëve, mirëpo as gjyqtarët nuk më janë ankuar se kanë presion politik prej dikujt. Në aspektin ligjor gjyqtarët duhet të jenë të pavarur dhe nëse preket pavarësia prej ndonjë pushteti tjetër apo prej individi ata duhet të lajmërojnë në Këshill Gjyqësor”, ka thënë Peci.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) Arbërie Nagavci,…