Kryetari i Tiranës shërohet nga Covidi
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, pas dy javësh është shëruar nga koronavirusi. Lajmin e ka bërë me dije vetë Veliaj përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në “Facebook”.
“Pas dy javësh izolim e trajtim mjekësor, në Tiranë, e askund tjetër, testi i fundit me nxori të shëruar nga Covid-19, e më të fortë se kurrë për t’iu rikthyer punëve të shumta të kryeqytetit tonë. E kam zemrën plot mirënjohje për familjen time të vogël, Ajola, Kajan dhe nënat e papërtuara, e për familjen e madhe të mijëra prej jush, që më dhatë përditë kurajo e frymëzim për ta mundur këtë flamë. Do të kish qenë edhe më e vështirë pa këmbënguljen e Ogertës, Albanës, Eugenës e Almes nga IShP-ja të cilat më këshilluan ta merrja seriozisht që në fillim, pa përkushtimin 24h të doktor Perlatit apo injeksionet pupël të infermiere Adelinës, si dhe insistimit ditor të shokut Gramoz për t’iu bindur profesionistëve heronj e jo gjithologëve mendjelehtë! ”, ka shkruar Veliaj.
Ai ka thënë se gjatë këtyre dy javëve është miqësuar me plot pacientë apo të shëruar të tjerë.
“Njoha historitë e tyre e ndamë momente të kësaj lufte të përbashkët të njerëzimit. Ky komunitet, ku tani edhe unë duhet të bëj pjesën time, do duhet të jetë më aktiv për të ndërgjegjësuar të tjerët mbi seriozitetin e kësaj drame e nevojën për të bashkëpunuar me autoritetet çdo ditë! Jam i brengosur për ata që s’ia dolën, më sëmbon zemrën kjo padrejtësi ku disa jetë këputen kaq befas në mes! Vazhdoj të lutëm për familjet që lanë pas, e siç ua kam dëshmuar një pjesë prej tyre, do angazhohem me gjithçka mundem për të lehtësuar sadopak dhimbjen e nevojat e tyre, sidomos të fëmijëve!”, ka shkruar ai, duke kërkuar nga shqiptarët që ta duan njëri-tjetrin më shumë.
“Ndaj miq, le të duhemi më shumë, e urrehemi më pak. Të ndihmojmë më shumë, e të shajmë më pak. Të bashkohemi më shumë, e të përçahemi më pak! Nëse i bëjmë këto e bashkëpunojmë me bluzat e bardha, do ngrihemi më të pjekur e më të fortë si komb! Unë besoj! Mirënjohje e dashuri pafund për secilin prej jush!”, ka shkruar Veliaj.