Kryetari i Vitisë kërkon nga vitiasit ta kufizojnë lëvizjen e qarkullimit
Ndonëse Komuna e Vitisë nuk ka pasur raste të reja të të infektuarve me Covid-19, autoritetet komunale kanë bërë thirrje për kujdes dhe respektim të masave të ndërmarra nga IKShPK-ja.
Kryetari i kësaj komune, Sokol Haliti ka apeluar te qytetarët që të kenë parasysh rrezikun që mund ta shkaktojë qarkullimi i pakontrolluar dhe lëvizjet e panevojshme, posaçërisht grumbullimi i njerëzve, në përhapjen e virusit Covid-19.
“Edhe pse lajmi i mirë që 77-vjeçari nga Stublla tashmë është shëruar dhe ka rezultuar negativ dhe gjendja shëndetësore e të tjerëve është e mirë dhe drejt normalizimit, megjithatë kujdesi dhe vigjilenca qytetare për t’iu shmangur turmave dhe lëvizjeve duhet të jetë në nivelin e duhur”.
“Apelojmë që të mbahet distanca, por edhe të kufizohet lëvizja e qarkullimit, të paktën edhe në këto tri javët e ardhshme në mënyrë që ta tejkalojmë këtë situatë me sa më pak të infektuar dhe pasoja”, ka thënë Haliti.