Kryetari i Vushtrrisë do t’i shpërblejë me 5 000 euro ata që e lajmërojnë korrupsionin
Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ka bërë me dije se ka marrë vendim që secili qytetar që do të lajmërojë keqpërdorimin e pozitës zyrtare dhe korrupsionin e mundshëm të zyrtarëve komunal do të shpërblehet me shumën prej 5.000 euro.
“Qeverisja me duar të pastra është prioriteti më i lartë i yni”, ka shkruar Tahiri në llogarinë e vet në “Facebook”.
Postimi i plotë i tij:
Komuna e Vushtrrisë ka miratuar Kodin e etikës për zyrtarët e Komunës së Vushtrrisë, si dhe Librin e proceseve për menaxhimin e parasë publike të Komunës së Vushtrrisë. Kështu, Vushtrria bëhet Komuna e parë në Kosovë që aprovon këto dy dokumente të rëndësishme që rrisin transparencën e llogaridhënien.
Në procesin e hartimit të këtyre dy dokumenteve të rëndësishme, Komuna e Vushtrrisë është përkrahur nga USAID-i në kuadër të Projektit TEAM.
Sot, po ashtu kam marrë vendim që secili qytetar që do të lajmërojë keqpërdorimin e pozitës zyrtare dhe korrupsionin e mundshëm të zyrtarëve komunal do të shpërblehet me shumën prej pesëmijë euro (5.000 €).
Qeverisja me duar të pastra është prioriteti më i lartë i yni.