Kryetari i Zubin Potokut për ‘The Guardian’: Nuk ishte qëllimi im të bëhesha i famshëm
Kryetari i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, i cili fitoi zgjedhjet komunale të 23 prillit me Partinë Demokratike të Kosovës, në një prononcim për prestigjiozen britanike “The Guardian”, teksa ka folur për “shkëlqimin e vëmendjes ndërkombëtare”, tha se qëllimi i tij nuk ishte të bëhej i famshëm.
“Nuk ishte qëllimi im të bëhesha një njeri i famshëm. Ne menduam se do të garonin më shumë kandidatë dhe nuk e imagjinonim se mund të fitonim”, deklaroi Zeqiri, i cili funksionin e tij tash e ushtron nga fshati Çabër, pas protestave të serbëve lokalë në veri të Kosovës.
“Ishte një javë mjaft stresuese”, pohoi Zeqiri, ndërsa shtoi se disa nga protestuesit që sulmuan Policinë e Kosovës, pjesëtarët e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë (KFOR) dhe gazetarët, janë të lidhur me krimin e organizuar që sponsorizohet nga Beogradi.
“Ne jemi ende në fazën e krijimit të kabinetit tonë të ri, kështu që ishte keq të shihje revoltën që u shkaktua nga këto banda kriminale… veprimet e tyre bien ndesh me rendin tonë kushtetues”, theksoi Zeqiri, i cili detyrën e nisi më 25 maj në Çabër, larg objekteve komunale, përcjell AP.
Komuniteti ndërkombëtar ka paralajmëruar pasoja për Kosovën, pas përplasjes së serbëve të veriut me policinë, e cila të premten e 26 majit, me vendim të kryeministrit Albin Kurti, realizoi aksionin për t’ua mundësuar qasjen në zyra kryetarëve të rinj në Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan.
Por i befasuar nga ky reagim ndaj Kosovës, veçanërisht nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është shprehur Toby Vogel, ekspert i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian në Qendrën për Studime të Politikave Evropiane në Bruksel.
“Nuk ishte Policia e Kosovës apo qeveria që plagosi dhjetëra paqeruajtës të NATO-s. Ishin grupe të armatosura serbe”, potencoi Vogel, ndërsa shtoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e saj po e veçojnë Kosovën kur më parë kishin thënë se zgjedhjet ishin në përputhje me ligjet e vendit.
“Pasi ndodhi kjo, mendoj se Kurti me të vërtetë nuk kishte shumë zgjidhje tjetër përveçse të detyronte që këta kryetarë të komunave të uleshin në zyrat e tyre në objektet komunale”, nënvizoi Vogel.
Vogel gjithashtu shprehu bindjen se ndërsa ka pasur shprehje të sinqerta zemërimi nga serbët lokalë për mundësinë e qeverisjes nga kryetarët shqiptarë për të cilët ata nuk kanë votuar, është e qartë se të paktën një pjesë e dhunës së javës së kaluar ishte organizuar dhe drejtuar diku tjetër.
Ndryshe, tensionet janë kthyer në pjesën veriore të Kosovës, pas zgjedhjeve lokale të 23 prillit për katër kryetarët e komunave në veri të vendit, të cilat i fituan kandidatët shqiptarë nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës.
Serbët lokalë janë duke protestuar çdo ditë që prej 29 majit në këto komuna të banuara me shumicë serbe, për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në objektet komunale. Nga ana tjetër, komuniteti ndërkombëtar ka bërë thirrje të vazhdueshme për marrjen e hapave drejt uljes së tensioneve.
Në veri ende ekziston pak ose aspak rendi publik, udhëheqja nuk gëzon as autoritet, as besnikëri, ndërsa një numër grupesh dhe fraksionesh i kërcënojnë me rezistencë autoritetet kosovare që mundohet të integrojnë komunitetin komunitetin serb dhe të vendosin një rend efektiv.