Kryetari i Zveçanit: S’kam menduar për dorëheqje – rruga më e mirë takimi me Kurtin
Kryetari i Zveçanit, Ilir Peci, ka folur rreth mundësisë së zgjedhjeve të reja në veri të vendit, duke thënë se rruga më e mirë do të ishte një takim me kreun e qeverisë, Albin Kurtin.
Peci në një prononcim për Klankosova.tv tha se në takimin me Kurtin do të mund të arrihej një dakordim mes katër kryetarëve të komunave në veri për rrugën përpara.
“Rruga më e mirë do të ishte me na ftu një takim kryeministri dhe aty do të mund të arrinim një mirëkuptim mes katër kryetarëve dhe tij. Kjo do të ishte më e rrugës dhe më e mirë, se çdo tentim tjetër.Por nuk ka asnjë sinjal që kryeministri do të na ftojë në takim”, tha Peci.
Tutje, Peci tha se dakordimi mes katër kryetarëve dhe Kurtit do të ishte më i pranueshëm, teksa shtoi se për dorëheqje nuk ka menduar, pasi duhet të flasë edhe me kryetarin e partisë së tij, Memli Krasniqin.
“Edhe qytetarët do ta kuptonin që kur të arrihej një marrëveshje mes kryeministrit dhe katër kryetarëve, do të ishte më e pranueshme. Për dorëheqje, nuk kam menduar ende, pasi që duhet të biseodjmë me ambasadorë e me kryetarin e partisë sonë”, tha ai.
Javën tjetër, Peci paralajmëroi edhe një takim me ambasadorin e ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, për të diskutuar në lidhje me zgjedhjet e reja.