Kryetari Jashari: Policia, institucioni më kredibil
Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, dhe nënkryetari Nuredin Lushtaku, kanë marrë pjesë në takimin e përvitshëm të organizuar nga Stacioni Policor në Skenderaj, ku është paraqitur raporti vjetor i punës së policisë.
Jashari e ka lavdëruar punën e Policisë së Kosovës, duke e quajtur institucionin më kredibil në Kosovë. “Policia e Kosovës mbetet institucioni më kredibil në Kosovë, ku pjesëtarët e saj me punën e tyre fisnike duke sakrifikuar madje edhe jetën, kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë në shërbim të qytetarëve, ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike. E vlerësoj pafund angazhimin e secilit zyrtar policor, që me profesionalizëm në detyrë na ofrojnë më shumë siguri”, është shprehur Jashari.
Ai ka thënë se është i gatshëm të bashkëpunojë me policinë kurdo që kërkohet. “E ritheksova gatishmërinë time si kryetar i komunës, për të bashkëpunuar shumë ngushtë kurdo që kërkohet dhe në çdo kohë, në funksion të rendit dhe sigurisë publike. Falënderoj komandantin e Stacionit Policor në Skenderaj, toger Bastri Durmishi, për bashkëpunimin e mirë që kemi në vazhdimësi! Përgëzime për Policinë e Kosovës!”, ka thënë Jashari.
/Epoka e re/