Kryetari Jashari priti delegacionin nga Komuna e Bursës së Turqisë
Një delegacion i Komunës së Bursës së Turqisë, i kryesuar nga nënkryetari Aydin Çikikçi, dhe anëtari i Asamblesë së Bursës, Lϋtfϋ Gϋnenç, ka qëndruar të shtunën në Skenderaj, ku është prit nga kryetari Bekim Jashari.
Qëllimi i kësaj vizite të miqve nga Bursa, ishte shqyrtimi i mundësive të bashkëpunimit konkret mes dy komunave respektive (Skenderaj dhe Bursa).
Në takimin në zyrën e kryetarit Jashari, nënkryetari i Bursas është interesuar për mundësitë që ofron komuna e Skenderajt, në mënyrë që të investohet në disa sektorë.
Kryetari Jashari e ka njoftuar nënkryetarin Çikikçi për hapat që ka ndërmarrë Komuna e Skenderajt sa i përket themelimit të Parkut të Biznesit në fshatin Marinë, të cilin e ka miratuar edhe Qeveria e Kosovës.
Sipas nënkryetarit të Bursës, kjo vizitë në Skenderaj është rast i mirë për t’u njoftuar me potencialin që ofron kjo komunë, ndërsa vet nënkryetari është zotuar të bëjë cka është në autoritetin e tij dhe të Komunës së Bursës që të sjell investitorë turk në komunën e Skenderajt.
Mysafirët nga Turqia kanë vizituar edhe Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, ku para varreve të dëshmorëve kanë bërë lutje fetare, si dhe kanë vizituar edhe hapësirat e Kullës së rezistencës së Jasharëve, për t’u njohur nga afër me luftën heroike të Familjes Jashari.
Në fund të vizitës, të dy autoritetet respektive kanë shkëmbyer dhurata për njëri-tjetrin.
Pjesë e delagacionit turk, ka qenë edhe Shoqata “Ta ndihmojmë Drenicën”, e cila ka bërë organizimin e aktivitetit të synetisë për fëmijët e familjeve me gjendje të rëndë ekonomike nga komuna e Skenderajt, ndërsa të gjitha shpenzimet për realizimin e këtij aktivititeti i ka mbuluar Komuna e Bursës.
Sipas Enver Shabanit nga kjo shoqatë, janë gjithsej 130 fëmijë nga Skenderaj të cilët kanë kryer shërbimin e synetisë pa pagesë.