Kryetari Kastrati, i vetmi rast aktiv me koronavirus në Kamenicë
Kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati, ka bërë të ditur se ai është i vetmi rast aktiv me koronavirus në këtë komunë.
“Deri tash kemi pasur 42 raste të identifikuara. Për momentin jam vetëm unë. Dje kur u kuptua se edhe unë jam infektuar u konstatua se është shëruar personi i fundit. Aktualisht jam vetëm unë rast aktiv”, ka thënë ai në KTV.
Kastrati ka thënë se dyshon që e ka marrë virusin gjatë një vozitjeje me një person që kishte rezultuar pozitiv me koronavirus. Ai është shprehur se tash për tash s’ka kurrfarë simptome.
“Kam kuptuar që personi në fjalë (kontakti), ditën e premte ka bërë testin dhe nga ai moment jam izoluar. Ai e ka kuptuar ditën e shtunë e pastaj të hënën kam kryer testin dhe mu dha rezultati. Për fat të mirë, ne kryetarët e komunave po mundohemi të respektojmë masat jo vetëm që të mos i rrezikojmë të rrezikojmë të tjerët, por të jemi edhe shembull se si të sillemi”, ka thënë Kastrati.
“Unë nuk jam i fushës, por prej asaj që kam mësuar, ne kemi shkuar së bashku në një aktivitet, isha në veturë me personin në fjalë. Prej rasteve të tjera që janë testuar, asnjë s’doli i infektuar, e unë po. Kam përshtypjen që qëndrimi në veturë së bashku dhe mundësia që të shkëmbejmë gjësende erdhi te infektimi im. Në veturë gjatë rrugës s’kam pas maskë”. Ai ka treguar se ka identifikuar 27 persona kontakti të cilët pritet të testohen.