Kryetari Latifi merr dy vendime për bashkatdhetarët
Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka bërë me dije se me qëllim që bashkatdhetarët tanë të priten sa më mirë gjatë pushimeve të tyre, ka marrë dy vendime të cilat kanë për qëllim lehtësimin e qëndrimit të tyre në Kosovë.
“Vendimi i parë ka të bëjë me zgjatjen e orarit të punës për zyrtarët e gjendjes civile, zyres së pranimit dhe zyres së tatimit në pronë, të cilët nga 15 korriku do të punojnë deri në orën 18:00 gjatë ditëve të javës dhe nga ora 09:00 deri në orën 12:00 të shtunën, kurse, me vendimin e dytë, punëtorët e komunës obligohen që të lirojnë hapësirat për parking në oborrin e komunës, për mërgimtarët”, ka shkruar Latifi në llogarinë e vet në “Facebook”.
“Falënderoj personalisht secilin mërgimtar për kontributin e tyre për atdheun dhe ju siguroj se ne si komunë do të jemi në dispozicionin tuaj që qëndrimin tuaj në shtëpi ta bëjmë sa më të mirë!”, ka shkruar kryetari Latifi.