Kryetari Mustafa takoi ambasadorin Sakar, flasin për zhvillimet politike
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, sot ka pritur në takim ambasadorin e Turqisë në Kosovë, Çagri Sakar.
Mustafa e ka njoftuar ambasadorin Sakar për qëndrimin dhe përkushtimin e LDK-së mbi zhvillimet aktuale politike në Kosovë.
“Gjatë këtij takimi me theks të veçantë, është diskutuar për bashkëpunimin e mëtutjeshëm mes të dyja vendeve në fushat e arsimit, kulturës, shëndetësisë, sundimit të ligjit dhe ekonomisë, veçanërisht rritjes së tregtisë, investimeve, prodhimit dhe punësimit”, është thënë në komunikatën e LDK-së.
Kryetari Mustafa ka falënderuar ambasadorin Sakar për kontributin e Turqisë ndaj FSK-së dhe transformimit të saj në ushtri duke nënvizuar se siguria dhe stabiliteti i Turqisë janë të lidhura ngushtë me sigurinë dhe stabilitetin e Ballkanit dhe regjionit.
Ndërkohë ambasadori Sakar e ka falënderuar kryetarin Mustafa për mikpritjen dhe vlerësoi rolin konstruktiv të LDK-së në proceset shtetformuese në Kosovë.
Në këtë takim kanë qenë të pranishëm sekretari i përgjithshëm i partisë Ismet Beqiri dhe zëdhënësi Besian Mustafa.
/Epoka e re/