Kryetari në ardhje i Skenderajt ka një paralajmërim për menaxherët e kontratave publike
Kryetari në ardhje i komunës së Skenderajt, Fadil Nura, ka paralajmëruar menaxherët e kontratave publike në këtë komunë dhe zyrtarët tjerë përgjegjës që të mos bëjnë autorizime për kryerje të punimeve jashtë planifikimit buxhetor të këtij viti fiskal.
Ai ka paralajmëruar edhe operatorët ekonomik se çdo autorizim për kryerje të punimeve apo pranim të faturave jashtë planifikimit buxhetor për këtë vit fiskal, pas përmbylljes së procesit zgjedhor, do të konsiderohen nule.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se këto veprime paraqesin shkelje ligjore.
Postimi i plotë i Nurës:
Vëmendje për personat përgjegjës, organet përgjegjëse dhe çdo zyrtar tjetër kompetent në menaxhimin e kontratave publike në kuadër të Komunës së Skenderajt!
Pas rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve lokale të 17 tetorit, të shpallur dhe nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, shfrytëzoj rastin t’i njoftoj të gjithë menaxherët e kontratave publike, organet mbikëqyrëse dhe zyrtarët tjerë përgjegjës, se çdo autorizim për kryerje të punimeve, pranim situacioni apo fature jashtë planifikimit buxhetor të këtij viti fiskal, paraqet shkelje ligjore. Përgjegjësia për veprimet e lartcekura do të bie mbi secilin që ndërmerr hapa të njëanshëm.
Njoftoj gjithashtu operatorët ekonomik se çdo autorizim për kryerje të punimeve apo pranim të faturave jashtë planifikimit buxhetor për këtë vit fiskal, nga zyrtarët politik, pas përmbylljes së procesit zgjedhor, janë të kundërligjshme dhe si të tilla do të konsiderohen nule. Duke kërkuar mirëkuptimin e secilit në këto procese, dua t’ju njoftoj se është përgjegjësi e jona të kemi disiplinë financiare, veprime të ligjshme dhe ruajtje të parasë publike e shmangie të borxhit publik.