Kryetari Nura mban premtimin për pensionistët
E ka mbajtur premtimin kryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura, sa i përket kategorisë së pensionistëve të komunës së Skenderajt.
Ai kishte premtuar se do të bëjë gjithçka që është e mundshme t’u sigurojë një hapësirë të përshtatshme pensionistëve në mënyrë që të kalojnë kohën.
Një pjesë e objektit të Qendrës së Kulturës “Hasan Prishtina” është përshtatur brenda pak ditësh dhe është kthyer në një ambient tepër të ngrohtë e të përshtatshëm për ta.
Gjatë ditës, kryetari Nura i ka pritur edhe në zyrën e tij të punës, me ç’rast ka dëgjuar për hallet që ata kanë, si dhe ka premtuar mbështetje në çfarëdo aspekti që është kompetencë e komunës.
Më pas, së bashku me të parin e Komunës, pensionistët janë akomoduar në ambientin e ri, që është rregulluar dhe përshtatur mjaftueshëm për nevojat e tyre.
Duke u ndërlidhur me mbështetjen që iu ofrua pensionistëve, i pari i Skenderajt, në një postim në llogarinë e tij në “Facebook”, ka shkruar: “Mat me dy lëvizje -i pari premtimi për kujdes ndaj pensionistëve, dhe e dyta mbajtja e këtij premtimi!
Nuk guxojmë t’i mbyllim sytë karshi djersës dhe kontributit të tyre ndaj vendit.
I lumtur që po sadopak po ua kthejmë me mirënjohje kontributin shumëvjeçar
Një hapësirë e dinjitetshme për pensionistët në zemër të qytetit, është më e pakta që duhet të bëjmë!
Respekti ndaj tyre është mirënjohja më e mirë për të djeshmen, të sotmen dhe të ardhmen”.