Kryetari i parlamentit austriak: Austria mbështet liberalizimin e vizave për Kosovën
Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj dhe ministri i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Dardan Gashi janë pritur në takim nga kryetari i Parlamentit të Austrisë, Wolfgang Sobotka, me rastin e shënimit të 10-vjetorit të themelimit të marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy shteteve.
Zëvendëskryeministri Hoxhaj ka kërkuar mbështetjen e Austrisë për liberalizimin e vizave
“Si shteti i fundit në Ballkan që nuk kemi lëvizjen e lirë në vendet e Schengenit, shpresojmë se tash, pasi e kemi përmbushur kushtin e demarkacionit, do ta vazhdoni mbështetjen për të aplikuar procesin e liberalizimit të vizave edhe për Kosovën. Po ashtu, mbështetemi fuqishëm në ndihmën dhe bashkëpunimin tuaj edhe në procesin e integrimit të plotë të Kosovës në Bashkimin Evropian”, ka thënë Hoxhaj.
Ndërsa kryetari i Parlamentit të Austrisë, Wolfgang Sobotka, ka është zotuar se shteti austriak do ta mbështesë Kosovën në të gjitha proceset integruese, duke përfshirë edhe liberalizimin e vizave.
“Austria do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në rrugën e integrimit evropian, në veçanti liberalizimin e vizave dhe integrimin e Kosovës në Këshillin e Evropës”, ka thënë Sobotka.
Ndërsa duke folur për investimet e kompanive austriake në Kosovë, ai ka kërkuar më shumë siguri për investime në vendin tonë.
Më tutje, zëvendëskryeministri, njëherësh ministër i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Dardan Gashi e informoi kryetarin e Parlamentit të Austrisë për Ligjin e ri të investimeve strategjike.
Gashi ka shprehur përkushtimin e Qeverisë për t’i mbështetur investimet e huaja me të gjithë mekanizmat që ka në dispozicion.